Arsim & Kulturë

Shkrimtari Ag Apolloni e bën horë ministrin Kujtim Shala, ja përse!

Shkrimtari kosovar, Ag Apolloni, e ka kritikuar ashpër konstatimin e ministrit të Kulturës, Kujtim Shalës, kur ky i fundit ka deklaruar se Kosova duhet të përfitojë nga Vatikani, sidomos në fushën e kulturës, njofton Klan Kosova.

Shala, që ishte në një vizitë në Vatikan, është pritur nga Kardinali Gianfranco Ravasi, Kryetar i Këshillit Papnor për Kulturë në Vatikan.

Në këtë takim, që nga Ministria e Kulturës është cilësuar si “i përzemërt”, Shala bashkë me Ravasin janë pajtuar për një bashkëpunim më të theksuar në sport, e sidomos kulturë.

“Ministri Shala shprehu falënderimet e tij për pritjen dhe u shpreh se bashkëpunimi konkret në fushën e kulturës ndërmjet Kosovës dhe institucioneve kulturore të Vatikanit, është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thuhej në komunikatën e Ministrisë.

Por këto fjalë, sipas Apollonit, do të mund të thuheshin vetëm nëse ministri Shala të ishte në gjendje të dehur.

“‘Kosova dëshiron të përfitojë nga përvojat e jashtëzakonshme të Vatikanit në fushat specifike që lidhen me kulturën’, paska thënë ministri kosovar i Kulturës. Ky ose duhet të merret si një konstatim nën ndikimin e alkoolit, ose si një paralajmërim që ditët e tmerrshme për kulturën janë duke ardhur”shkruan Apolloni.

Sipas shkrimtarit, Selia e Shenjtë ka përkrahur regjimet më autoritare, ndaj s’ka asgjë që mund të shkëmbesh kulturalisht me Vatikanin.

“Të marrësh mësim nga Vatikani për çështje kulturore, ky është më shumë se kulmi i budallallëkut. Krimet më të mëdha në Europë lidhen me Vatikanin, me Papën. Tendenca për shkatërrimin e kulturës laike askund nuk është vërejtur më shumë se në Vatikan”, shkruan Apolloni.

“Vatikani ka bërë ‘amin’ kur Hitleri shfaroste çifutët. Vatikani ka përkrahur Musolininn. Vatkikani është shtet-qytet me sigurinë më të lartë, sepse është zhytur në krime e korrupsion moral-ekonomik”.

“Fundja, në Renesancë, po të ishte Vetikani simboll i kulturës, Leonardo Da Vinci, nuk do të ishte armiku i tij më i madh”.

Për Apollonin, xhihadistët e grupeve terroriste dhe fanatikët e krishterë janë e njëjta gjë, ndaj Europa do të jetë më mirë e më rahat, pa Papatin e pa xhihadistët terroristë.

“Europa do të jetë një vend i mirë kur selia e Papës të hiqet nga Italia dhe nga Europa dhe kur të krishterët fanatikë me ‘xhihadistët’ myslimanë të shkojnë sa më shpejtë atje ku i presin Jezusi dhe hyritë. Të njëjtën rrugë ua uroj edhe servilëve politikë, ose përkrahësve të tyre”./KlanKosova