Rajon & Botë

Shkon në mbi 10,000 numri i të vdekurve nga virusi në Britani, 710 vdiqën për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, 710 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Britani të Madhe. Kështu, shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 10,585.

Vetëm në Angli vdiqën 657 persona. Në mesin e viktimave ishte edhe një person 26-vjeçar, i cili kishte edhe probleme të tjera shëndetësore. Në Uells vdiqën 18 persona dhe shifra e përgjithshme shkoi në 369.

Mbi 5,900 persona dolën pozitivë në testin për koronavirus. Të shtunën në mbrëmje, në spitalet e Skocisë ishin 1,755 persona të shtrirë në spitale si të konfirmuar me koronavirus ose me simptoma të dyshimta.

Në Irlandën Veriore u shënuan 11 viktima të reja në 24 orët e kaluara dhe tash numri i përgjithshmë i të vdekurve atje shkoi në 118 persona, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Shifrat e reja u publikuan pas lajmit se kryeministri i vendit, Boris Johnson, është liruar nga spitali ku po qëndronte qe një javë pas përmirësimit të gjendjes.

Britania e Madhe është ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi pas Italisë, Spanjës dhe Francës. Ajo ka më pak të infektuar se Gjermania, por shumë më shumë viktima.