Rajon & Botë

Shkon në mbi 100 numri i viktimave nga vërshimet në Azinë Jugore

Vërshimet i kanë mbytur më shumë se 100 njerëz dhe miliona të tjerë i kanë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në Indi, Nepal dhe Bangladesh për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Rajonet e varfra indiane të Asamit dhe Biharit janë ndër zonat më të prekura. Rreth 4.3 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Asam në dhjetë ditët e fundit për shkak të rritjes së nivelit të ujit në pjesën më të madhe të këtij rajoni verilindor.

Vërshimet në Azinë Jugore për çdo vit shkaktojnë vdekje dhe zhvendosje masive, ndërsa numri i tanishëm i viktimave mund të rritet në javët në vazhdim. Vërshimet e vitit 2017 në Nepal, Indi dhe Bangladesh i shkaktuan së paku 800 viktima dhe shkatërruan shumë shtëpi e të mbjella.

“Gjendja e vërshimeve është bërë shumë kritike, sepse 31 nga gjithsej 32 rajone janë prekur nga to. Po përballemi me një luftë në këtë situatë”, tha kryeministri rajonal, Sarbanada Sonowal.

Rajoni i Asamit, i cili është i njohur për industrinë e prodhimit të çajit, goditet çdo vit nga vërshimet sezonale. Qeveria qendrore dhe autoritetet lokale kanë shpenzuar miliona rupi për kontrollim të vërshimeve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli