Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Iran ka shkuar në 6,203. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur, gjatë një paraqitjeje në televizionin shtetëror.
Gjatë 24 orëve të kaluara, në republikën islamike u shënuan 47 të vdekur. Kjo shifër është relativisht e vogël me numrat që konfirmoheshin javëve të kaluara dhe duket se Irani e ka kaluar më të keqen.
Sidoqoftë, ky shtet është vendi më i goditur nga Covid-19 në Lindjen e Mesme me mbi 97 mijë raste të infektimeve, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka konfirmuar se nga e hëna do të rihapen xhamitë në disa rajone të këtij shteti.
Xhamitë në Iran kanë qenë të mbyllura nga fillimi i marsit, prej kohës kur filluan të shtoheshin me të madhe rastet e koronavirusit. Megjithatë, Rouhani njoftoi se xhamitë do të rihapen nga e hëna në 132 rajonte administrative, që përbëjnë rreth një të tretën e tërë territorit të shtetit.