Dymbëdhjetë raste të reja të koronavirusit janë konfirmuar në Britaninë e Madhe të martën.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, e prezantoi sot planin e qeverisë për luftimin e koronavirusit. Ai paralajmëroi se një përhapje e madhe ka gjasë të ndodhë në vendin ishullor.
Sipas planit të qeverisë, policia do të ketë të drejtë t’i injorojë rastet e veprave të lehta penale, nëse nevojitet ndihma e saj në rast të përhapjes më të madhe të koronavirusit.
Në këtë plan është parashikuar edhe angazhimi i ushtrisë, izolimi i personave të infektuar dhe anulimi i aktiviteteve jo-urgjente të organeve shëndetësore.
Kryeministri Johnson u zotua se qeveria e tij do t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe të arsyeshëm për ta mbrojtur shëndetin publik.
Frika nga mungesa e ushqimit i ka kapluar britanikët, të cilët kanë filluar t’i boshatisin vitrinat e dyqaneve, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.