Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Iran njoftoi se numri i viktimave të koronavirusit në këtë shtet ka shkuar në 4,777 persona.
Kianoush Jahanpour tha se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 94 viktima dhe 1,512 raste të reja të koronavirusit. Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 76,389.
Irani ishte një ndër shtetet me numrin më të madh të rasteve në botë në fillimin e përhapjes së pandemisë, bashkë me Kinën dhe Italinë. Sidoqoftë, ditëve të fundit numri i viktimave të reja është duke rënë.
Deri më tani, autoritetet iraniane kanë thënë se i kanë testuar gati 300 mijë persona, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë tha se 3,643 pacientë me Covid-19 ndodhen në gjendje kritike në të gjitha spitalet e vendit.