Rajon & Botë

Shkon në 22 numri i viktimave në sulmin e Mançesterit

Ka shkuar në 22 numri i viktimave në sulmin e mbrëmshëm vetëvrasës në Manchester Arena.

22 persona përfshirë fëmijë, janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur, raporton BBC.

Shpërthimi ndodhi në hollin e sallës së një koncerti rreth orës 22:35 në fund të koncertit të këngëtares amerikane Ariana Grande.

Policia tha se sulmuesi i vetëm i cili ishte mashkull u vra, pas shpërthimit të një pajisje shpërthyese të improvizuar.

Familjarët po përdorin mediat sociale për të kërkuar të zhdukurit, derisa në dispozicion është vënë edhe numri i emergjencës.

Komandanti i Policisë Ian Hopkins tha se ishte “incidenti më i tmerrshëm” që Mançesteri ishte përballur ndonjëherë.

Ai tha se punohet për të përcaktuar nëse sulmuesi vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti.

Gjashtëdhjetë ambulanca u vunë në lëvizje pas incidentit dhe të plagosurit tani po trajtohen në gjashtë spitale rreth qytetit./KosovaPress/