Komuna e Ferizajt ka krijuar task-forcën për menaxhimin e situatës së krijuar pas reshjeve të mëdha të shiut në këtë qytet që ka shkaktuar dëme të mëdha. Përmes një komunikate për media, kryetari i Komunës, Agim Aliu ka treguar se ka vizituar Spitalin e Ferizajt, disa zona të përmbytura si dhe disa nga rrugët të qytetit dhe fshatrave.
Në këtë komunikatë sqarohet se ka pasur dëme të mëdha gjatë reshjeve të sotme të shiut në Ferizaj.
“Sipas raportimeve nga zona të ndryshme në qytet dhe fshat konsiderojmë se kjo stuhi ka shkaktuar dëme të shumta në objekte të banimit privat, objekte dhe vepra publike, kultura bujqësore, objekte industriale, punishte si dhe infrastrukturën përcjellëse rrugore. Gjendja më e rëndë vlerësohet të jetë në zonën rurale përkatësisht në fshatin Tërrn dhe disa nga rrugët e qytetit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Ferizajt.
Tutje, Aliu u ka thënë banorëve se do të u gjenden pranë.
“Kryetari Agim Aliu siguroi banorët e zonës se ekipet e autoriteteve komunale janë në veprim me kapacitet të plotë dhe se do t’i gjenden pranë për çdo kërkesë të banorëve në tejkalimin e kësaj fatkeqësie natyrore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Ferizajt.
Komuna u ka kërkuar qytetarëve të shmangin daljen në këtë mot të lig pasi që parashikimet janë që do të ketë të reshura edhe në orët në vijim.
Përveç në Ferizaj, reshje të mëdha të shiut ka pasur sot edhe në qytetin e Gjilanit.