Rajon & Botë

Shitjet e veturave në Kinë shënojnë rënie për herë të parë pas 20 vjetësh

Shitja e veturave në tregun më të madh botëror të tyre, në Kinë, ka shënuar rënie për herë të parë pas 20 vjetësh. Ato u ulën për 6 për qind apo 22.7 milionë vetura më pak gjatë vitit 2018, sipas të dhënave të Asociacionit Kinez të Veturave.
Kjo rënie vjen në kohën kur ekonomia kineze po përballet me vështirësi dhe kjo ka ndikuar edhe në shitjet e prodhuesve të ndryshëm të veturave në mbarë botën. Përpos veturave, edhe kompania teknologjike, “Apple”, ka deklaruar më herët se shitjet e tyre do të preken nga rënia e kërkesës në Kinë.

Prodhuesit si Ford, Volkswagen, Jaguar, Land Rover dhe General Motors kanë raportuar rënie të shitjeve në muajt e kaluar në Kinë. Asociacioni Kinez i Prodhuesve të Veturave e ka arsyetuar rënien e shitjeve me ndryshimet ekonomike dhe faktorët ndërkombëtarë, duke aluduar në luftën ekonomike mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, të dy vendet vendosën tarifa milionëshe në mallrat e njëra-tjetrës. Në anën tjetër, Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma ka premtuar se do të sjellë politika që e nxisin rritjen e shpenzimeve të blerësve për vetura, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.