Aktuale

SHGM përshëndeti vendimin e Gjykatës në Strasburg

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani, sot në një konferencë shtypi përshëndeti vendimin e djeshëm të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për rastin “Selmani dhe të tjerët kundër Republikës së Maqedonisë”, lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012, kur gazetarët u larguan nga galeria e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai këtë vendim e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për “një Maqedoni të lirë, demokratike dhe evropiane”. “Ky është vërtetimi më i mirë se misioni ynë është realizuar.

Arritëm me fakte të tregojmë para opinionit evropian dhe të Maqedonisë, se në Maqedoni ka shkelje të lirisë së shprehjes.

Aktvendimi i cili njëzëshëm është miratuar nga gjykatësit përcjell porosi të fuqishme edhe deri te gazetarët në Maqedoni, që synimi për liri gjithmonë fiton, drejtësia vonon, por është e arritshme”, theksoi Selmani.

Ai shprehu bindjen se institucionet nga ky rast do të nxjerrin porosi se në të ardhmen nuk do t’i pengojnë gazetarët në punën e tyre. Po ashtu, dërgoi apel se ata duhet të kuptojnë se në një shoqëri demokratike institucionet kanë për obligim të krijojnë kushte më të favorshme për punë pa pengesa për gazetarët.