Samiti i Berlini i mbajtur më 29 prill nuk shfaqi qëndrime të njëjta të liderëve të Kosovës për çështjet e brendshme politike. Ishte kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u ankua se presidenti Hashim Thaçi e kishte vënë në siklet duke i kërkuar në prani të liderëve të rajonit të largohet taksa ndaj Serbisë.
Samiti i Berlini ishte mollë sherri edhe mes kryeministrave shqiptar, Ramush Haradinajt e Edi Ramës. Ata disa ditë pas takimit replikuan me një fjalorë goxha të ashpër se nuk kishin mbështetur dhe përkrahur njëri tjetrin.
E përsëritjen e incidentit të Berlinit nuk po e dëshiron kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Veseli, tha dje se Samiti i Parisit që është planifikuar të mbahet më 1 korrik mund të dështojë në spektri politik kosovar nga mos qëndrimet e njëjta politike.
“S’ka samit të Parisit pa qenë bashkë. Berlinin dhe Parisin duhet t’i mbajmë afër. Unë nuk shkojë në Paris që të flas për taksën. Çka është për mua taksa para ulëses për OKB. Kosova duhet ta kryej këtë proces dhe ta mbajë SHBA-në afër. Sa për taksë nuk shkoj. Për Kosovën shkoj kurdo”, ka theksuar Veseli.
Mes tjerash, i kryetari i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, PDK, tha se në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, nuk do të pranonte asnjëherë që të flitej për Mitrovicën apo ndonjë pjesë të territorit të vendit.
Në një përgjigje për lajmi.net nga zyra për informim e kryeministrit Haradinaj, thuhet se Kosova do të jetë e bashkuar në Samitin e Parisit, duke mos lënë të kuptohet nëse ka pasur apo do të ketë takim mes liderëve të vendit për të diskutuar lidhur me Samitin.
Nga presidenca nuk ka pasur reagim në lidhje me këtë cështje, përvec konfirmimit të shkuarjes.
Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Samiti i Parisit nuk pritet të mbahet duke akuzuar Kosovën se nuk dëshiron bashkëpunim.
Ai ka theksuar se detyra e tij kryesore është që në mënyrën më të mirë të mundshme të zgjidhë çështjen e Kosovës.
“Mendoj se këtë porosi e kanë kuptuar edhe gjermanët e francezët, sigurisht ky është mendimi im. Unë nuk do të dilja me qëndrim se ky është vetëm mendimi im. Mendoj se nuk do të mbahet takimi në Paris, por ne do ta presim presidentin Macron në Beograd pas rreth një muaji”, deklaroi Vuçiq në emisionin e mëngjesit në “TV Pink”, transmeton lajmi.net.
“Ju them për 99 për qind, kjo është gati e sigurt. Ndoshta mund të ndodh ndonjë mrekulli dhe dikush i ndryshon qëndrimet e tij brenda tri ditësh, por mendoj se për këtë ka pak mundësi”, shtoi ai.
Samiti i Parisit është thirrur nga presidenti i Francës Emmanuel Macronn e pranishme do të jetë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. /Lajmi.net/