Tani, të thuash se nuk iu beson hartave të Jugosllavisë kur bëhet fjalë për kufijtë e republikave dhe të krahinave që e përbënin ish-Jugosllavinë, është njësoj sikur të thuash se nuk u beson hartave të Amerikës për kufijtë e shteteve që i përbëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu thotë sekretari i Nismës për Kosovën Bilall Sherifi, i cili ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, të cilët kanë deklaruar se nuk u besojnë hartave jugosllave sa i përket çështjes së shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Sherifi thotë se qëllimi i këtij diskursi është më se i qartë, të stigmatizohen si pro jugosllav të gjithë ekspertët të cilët janë duke e kundërshtuar versionin aktual të marrëveshjes dhe në të njëjtën kohë.
“Të njëjtin qëndrim lidhur me hartat e Jugosllavisë mbrëmë e mbajti edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ai madje nuk u ndal vetëm te mosbesimi ndaj hartave të Jugosllavisë por shtoi edhe një gjë, ai tha se nuk i beson as mendësisë jugosllave! Këtë çështjen e mendësisë bën mirë ta sqarojë me partnerin e tij të koalicionit z. Mustafa. Por për këtë temë flasim ndonjëherë tjetër”, ka thënë Sherifi.
Ai thotë se duhet të trajtohet çështja e asaj se a duhet tu besojmë apo jo hartave të Jugosllavisë.
“Sikur të thuash se nuk iu beson hartave të Zvicrës për kufijtë e kantoneve që e përbëjnë Federatën e Zvicrës! Sipas kësaj logjike të tyre, në rast se eventualisht këto vende vendosin të ndahen, atëherë, shtetet e reja që do të dilnin nga ndarja e këtyre shteteve, për të caktuar kufijtë mes tyre, mund të përdorin çfarëdo harta tjera përveç hartat të cilat ato dikur vet i kanë prodhuar”, thotë Sherifi. Sipas tij, është absurd i madh të thuash që krejt bota e paska ditur se ku kanë qenë kufijtë në mes republikave dhe krahinave të ish-Jugosllavisë, veç Jugosllavia jo”, ka thënë Sherifi./KosovaPress/