Aktuale

Sherifi kërkon nga presidenti që ta emëroj edhe një anëtar të Nismës në KQZ

Sekretari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi nga Nisma, ka folur për zhvillimet rreth KQZ-së, si dhe paralajmërimin e presidentit Thaçi që nesër t’i emërojë anëtarët e rinj të këtij institucioni.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sherifi ka theksuar se ata presin që kreu i vendit t’i njoftoj nëse ka hequr dorë për emërimin e një anëtari në KQZ nga secili grup parlamentar.

“Ne kemi pritur të kemi ftesë për emërimin edhe të një kandidati nga Nisma për anëtar të KQZ-së. Ne presim që brenda afatit ai të dekretojë edhe një anëtar nga Nisma, ose të na njoftojë që ka hequr dorë nga emërimi i nga një kandidati për secilin grup parlamentar në Kuvend”, tha Sherifi.

Sipas tij, neni 139 e thotë se në KQZ emërohen anëtarë të grupeve parlamentare. Ai tha se nuk e di se kujt ia ka dërguar ftesën nga PAN-i.

“PAN nuk ekziston në Kuvend, presidenti të sqarojë se kush është PAN. Ne presim që presidenti të dalë me sqarim, qoftë publik apo intern”, tha ai.

Sherifi ka bërë të ditur se kanë marrë vetëm ftesë për proces, por nuk kanë marr ftesë për dekretim të anëtarit të KQZ. /FaktePlus