Një burrë në të tetëdhjetat, i cili kishte edhe probleme tjera shëndetësore, është bërë viktima e gjashtë e koronavirusit në Britani të Madhe. Qeveria ka paralajmëruar se numri i rasteve do të rritet.
Zyrtarët shëndetësorë konfirmuan se burri, emri i të cilit nuk u publikua, vdiq në spitalin e Uatfordit. Ai besohet se është infektuar brenda shtetit, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Shkencëtarët që po merren me rastet e konfirmuara në vendin ishullor kanë thënë se gjendja e shëndetit publik është duke e ndjekur trajektoren e njëjtë si të Italisë.
Ndryshe, një kirurg i njohur në spitalin e Liverpulit është konfirmuar si i infektuar me koronavirus, duke ngjallur frikë se mund ta ketë përhapur virusin te qindra pacientë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se ka arsye të forta për të mos u përshëndetur me shtrëngim të duarve për ta zvogëluar rrezikun nga infektimi.