28 janari shënon Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Kjo ditë është pjesë e së drejtës në privatësi, si një nga të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.
28 janar 1981 është data e nënshkrimit të Konventës për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale.
25 vjet më vonë, në vitin 2006, kjo datë në mënyrë simbolike është zgjedhur Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Të dhënat personale përpunohen në shume aspekte të jetës së përditshme – si shembull, hapja e një llogarie bankare, rezervimi online i një bilete, udhëtimi, blerja e një SIM kartele etj.
Mbrojtja e të drejtës në privatësi është e garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat të Njeriut. Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri, Besnik Dervishi, është Komisioneri përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave.
Për këtë ditë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Zyrtaren Komunale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, organizun disa aktivitete.
Aktiviteti kryesor u zhvillua në shkollën “Xhemajl Mustafa”, me ç’rast para nxënësve të klasave VI – IX, Jeton Arifi, drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Premtime Preniqi, zyrtare për mbrojtjen e të dhënave personale në Komunën e Prishtinës mbajtën ligjëratë mbi privatësinë, me fokus të veçantë gjatë përdorimit të teknologjisë informative.
Për nxënësit kjo ligjëratë është vlerësuar si shumë e nevojshme ngase kjo gjeneratë, sipas hulumtimeve të fundit të bëra në vend, më se 97% të tyre janë përdorues të internetit dhe pajisjeve të ndryshme teknologjike.
Si rezultat i kësaj, po ashtu mos informimi adekuat mbi sigurinë në rrjet, ka bërë qe në të shumtën e rasteve atyre t’u kanë keqpërdoren të dhënat personale në forma të ndryshme.
Marrë shkas nga kjo, Agjencia këtë vit ka përzgjedhur shkollat e Komunës së Prishtinës, gjegjësisht nxënësit e klasave 6 deri 12, për t’i informuar sa më shumë mbi rolin dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.
Po ashtu, ligjërata të këtilla informuese u zhvilluan edhe në të gjitha shkollat e këtij niveli në Komunën e Prishtinës, në këtë rast ligjërues mbi rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë ishin vet profesorët të përzgjedhur nga drejtorët e shkollave përkatëse, për të cilët është shpërndarë me kohë një udhëzues të posaçëm./KosovaPress/