Aktuale

MOST: Shënohen disa parregullsi në zgjedhje

Asociacioni qytetar MOST, i cili ka vëzhgues në terren bën të ditur se të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Maqedonisë janë hapur me kohë.

Kryetari i MOST-it Darko Aleksov në konferencën e parë për media përmendi disa incidente në këtë proces zgjedhor.

“Vendvotimi 1036 në komunën e Kumanovës është hapur me 15 minuta vonesë, qendra e votimit 2210 në komunën e Velesit është hapur me vonesë prej 30 minuta për shkak të mungesës së energjisë elektrike”, tha Aleksov.

Më pas ai shtoi se “Deri tani është regjistruar se në vendvotimin 1580/1 në komunën e Radovishit një votues e ka fotografuar fletëvotimin ku këshilli zgjedhor nuk e ka vërejtur dhe nuk ka reaguar. Në qendrën e votimit 2556 në komunën e Gjorçe Petrovit një votues e ka fotografuar fletëvotimin ku është thirr policia”,raporton AA.

Asociacioni qytetar MOST i ndjek zgjedhjet e parakohshme parlamentare me më shumë se 3.000 vëzhgues. Në qendrat e votimit janë të stacionuar 2.664 vëzhgues të cilët mbulojnë rreth 55 përqind të qendrave të votimit në Republikën e Maqedonisë.

Në mënyrë shtesë MOST ka 120 ekipe me nga dy vëzhgues të cilët do të ndjekin votimin në ato vende ku MOST nuk ka vëzhgues statik. 80 vëzhgues të MOST-it do të mbikëqyrin punën e të gjitha komisioneve zgjedhore komunale ndërsa do të mbikëqyret edhe puna e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare marrin pjesë 11 subjekte politike prej të cilave gjashtë parti politike dhe pesë koalicione, me 58 lista dhe me 1.092 kandidatë.