Rajon & Botë

SHBA urdhëron familjet e punonjësve të Konsullatës të largohen nga Stambolli

Departamenti amerikan i shtetit, i ka urdhëruar anëtarët e familjeve të punonjësve të Konsullatës në Stamboll, që të largohen nga Turqia.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Turqi, ky vendim është i bazuar në informacionet e sigurisë që tregojnë se grupet ekstremiste po i vazhdojnë përpjekjet agresive për t’i sulmuar shtetasit amerikanë në hapësirat në Stamboll, ku ata banojnë ose veprojnë, transmeton Express.

Ky urdhër ka të bëjë vetëm me Konsullatën e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në Stamboll, e cila mbetet e hapur dhe me personel të plotë, e jo për ndonjë përfaqësi tjetër diplomatike amerikane në Turqi.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i shtetit i këshilloi shtetasit që “me kujdes ta shqyrtojnë nevojën për udhëtim në Turqi”.

Ndjenjat anti-amerikane janë të larta në Turqi, që është aleat në NATO, ku ende janë në fuqi ligje për gjendje të jashtëzakonshme prej dështimit të përpjekjes për puç, në muajin korrik./Express/