Rajon & Botë

SHBA përmirëson armët bërthamore, Rusia: Provokim kundër nesh

Propozimi i amerikanëve për të modernizuar armët bërthamore nuk është pritur mirë nga Rusia, e cila e ka parë lëvizjen si një provokim të qartë ndaj Moskës. ShBA ka ideuar një plan për të përmirësuar arsenalin nuklear, për t’u përballur me sfidat e vazhdueshme të sigurisë. Nga ana tjetër, Moska e bëri të qartë se do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur interesat kombëtare.

Rusia është shprehur kundër propozimeve që ka bërë ushtria amerikane për të përmirësuar armët e saj bërthamore me qëllim që t’i bëjë më efektive në përdorime të mundshme.

Pentagoni ka hedhur idenë se zvogëlimit të bombave dhe krijimin e sistemeve më të sakta të lancimit, kundrejt drojës se arsenali aktual mund të ketë dalë nga moda.

Gjithashtu, një arsye më shumë për Uashingtonin ka qenë kërcënimi në rritje i vendeve të ndryshme përfshirë Iranin dhe Korenë e Veriut.

Megjithatë, lëvizja e fundit e amerikanëve nuk është pritur nga Moska, transmeton oranews. Në një qëndrim të publikuar për mediat, Ministria e Jashtme e Rusisë, shprehet se flitet për një veprim konfrontues dhe se qeveria ruse është e zhgënjyer nga propozimi i amerikanëve.

Qëndrimi i Kremlinit u publikua vetëm pak orë pas lajmit se ShBA është drejt përmirësimit të arsenalit bërthamor.

Në deklaratë, Rusia bën të qartë gjithashtu se do të marrë çdo masë të nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare.

Zhvillimet e fundit nuk janë pritur mirë nga mbështetësit e denuklearizimit të globit, të cilët shprehen se diçka e tillë shton rrezikun e përplasjeve të mundshme.

Gjithashtu, agravimi i retorikës mund të përkthehet si një lajm negativ mbi angazhimin e fuqive të mëdha për një botë pa armë të shkatërrimit në masë.