Në Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, njoftoi dje se Shtetet e Bashkuara do t’i dhurojnë ushtrisë shqiptare 250 automjete të blinduara. “Brenda 10 ditësh do të nëshkruajmë marrëveshjen, dhe pjesa e parë prej 78 automjetesh pritet të mbërrijë që në muajin Janar”, shpjegoi ministrja, duke shtuar se vlera e vetëm pjesës së parë vlerësohet në 15 milion dollarë.
Njësitë e ushtrisë shqiptare deri më tani kanë përdorur gjatë misioneve jashtë vendit kryesisht automjete të lehta, ndërsa në rastet e angazhimit në operacione që paraqisnin rrezikshmëri, kanë udhëtuar me automjete të ushtrive aleate.
Po ashtu, në mbështetje të kompletimit të ushtrisë me armatim dhe municion të standardeve të NATO-s, pritet dhe furnizimi me 5 mijë armë automatike dhuratë nga Italia, me një vlerë prej 10 milionë eurosh. “Ministria e Mbrojtjes italiane, ka përgatitur një ligj të posaçëm për kalimin e këtyre armëve, dhe ai pritet të miratohet nga parlamenti italian në muajin dhjetor”, deklaroi ministrja shqiptare e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj në Komisionin parlamentar të Sigurisë.