Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë regjistruar 1,344 të vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara. Në këtë mënyrë, shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 55,519 persona.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan hiç më pak se 27,284 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 987,590. Këto shifra i vendosin Shtetet e Bashkuara bindshëm në vendin e parë në botë, si për numrin e të vdekurve, ashtu edhe për atë të të infektuarve.
Sa për krahasim, në vendin e dytë është Spanja me rreth 220 mijë të infektuar, gati pesë herë më pak se Shtetet e Bashkuara, kurse e treta është Italia me 198 mijë raste, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, numri i rasteve të reja të infektimeve dhe vdekjeve ka filluar të shënojë rënie në krahasim me disa ditë më parë. Më 24 prill, në ShBA ishin shënuar mbi 36 mijë raste të infektimeve, ndërsa më 25 prill 31 mijë e 500 të infektuar.
Pavarësisht rënies së numrit të rasteve të reja, parashikimi i Shtëpisë së Bardhë për 60 mijë viktima gjatë tërë pandemisë tashmë duket i pamundur dhe pritet që kjo shifër të tejkalohet pas disa ditëve.