Rajon & Botë

SHBA hedh poshtë akuzat e Penianit: Nuk shpallëm luftë

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet e Koresë së Veriut se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur luftë.

Zëdhënësja Sarah Sanders e quajti “absurd” një qëndrim të tillë e ju përgjigj edhe deklaratës së Veriut komunist se do të qëllojë bombarduesit amerikanë edhe nëse nuk janë në hapësirën e tij ajrore. “Qëllimi ynë është gjithmonë i njëjti. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë denuklearizimin paqësor të gadishullit korean. Ky është fokusi ynë, ta realizojmë një gjë të tille përmes presionit maksimal ekonomik dhe politik, e kjo në këtë pikë është e mundur”, deklaroi Sanders. Zëdhënësi i Pentagonit, kolonel Robert Manning ishte më i prerë. Nëse Peniani nuk i jep fund veprimeve provokuese, u shpreh ai, ne do te sigurohemi që t’i garantojmë Presidentit opsionet më të mira të mundshme për t’u përballur me Korenë e Veriut. Koreja e Jugut bëri thirrje për mprehtësi kundrejt provokimeve të vazhdueshme të fqinjit të saj verior dhe apeloi për shmangien e përshkallëzimit t ë mëtejshëm të tensioneve, ose edhe çdo lloj përplasjeje ushtarake aksidentale në rajon që mund të dalë jashtë kontrollit. Reagime pati edhe nga OKB-ja, një zyrtar i së cilës paralajmëroi se egërsia verbale mund të çojë drejt keqkuptimesh shkatërrimtare. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Ri Yong Ho deklaroi se SHBA i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Peniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshire këtu edhe rrëzimin e avionëve luftarake amerikane në rajon. Ri e lidhi kërcënimin drejtpërdrejtë me komentet e Donald Trump të shtunën në Twitter. Duke iu përgjigjur fjalimit të kryediplomatit koreano-verior në Kombet e Bashkuara, Trump shkruante: “Sapo dëgjova ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut të fliste në OKB. Nëse ai u bën jehonë mendimeve të Njeriut Raketë, ata nuk do ta kenë shumë të gjatë”.