htëpia e Bardhë ka hedhur poshtë mundësinë për bisedime me Korenë Veriore duke e përgënjeshtruar përsëri sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, i cili tha më parë se Uashingtoni është në komunikim të drejtpërdrejt me Penianin rreth programit të saj bërthamor dhe raketor. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Amerika diskuton me Korenë Veriore vetëm për fatin e amerikanëve që mbahen nga regjimi i Kim Jong Un.
“E kemi thënë qartë se tani nuk është koha për bisedime”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, duke i ripërsëritur komentet e presidentit Donald Trump të bëra në fundjavë, transmeton Express.
“Bisedat e vetme që kanë ndodhur kanë të bëjmë me rikthimin e amerikanëve që janë arrestuar atje. Përveç kësaj, nuk ka pasur asnjë bisedë tjetër me Korenë Veriore”, ka thënë ajo.
Tillerson tha të shtunën gjatë vizitës në Kinë se Shtetet e Bashkuara janë në komunikim të drejtpërdrejt me Korenë Veriore për programin e saj bërthamor dhe raketor dhe se Peniani nuk po tregon interesim për dialog.
Më vonë, Trump – i cili ka shkëmbyer fyerje dhe kërcënime me liderin e Koresë Veriore Kim Jong Un në javët e fundit – hodhi poshtë çdo mundësi për bisedime me Korenë Veriore, duke thënë se një gjë e tillë është humbje kohe. /Express/