Duke qëndruar në kuvertën e një aeroplanmbajtësi masiv, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, të mërkurën e paralajmëroi Korenë Veriore që të mos e testojë vendosmërinë e ushtrisë amerikane, duke premtuar se ushtria amerikane do të kundërpërgjigjet në mënyrë efektive dhe dërrmuese ndaj çfarëdo përdorimi të armëve bërthamore apo konvencionale.
Pence, i veshur me xhaketë të gjelbër ushtarake, tha në bordin e aeroplanmbajtësit “USS Ronald Reagan” se Administrata e presidentit Trump do të vazhdojë të punojë me zell me aleatët e vet, si Japonia, Kina dhe fuqitë e tjera globale për të bërë presion diplomatik dhe ekonomik ndaj Koresë Veriore, transmeton Express.
Ai u tha lundruesve amerikanë se “siç të gjithë ju e dini, gatishmëria është çelësi.”
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të kërkojnë paqe, por nën administrimin e presidentit Trump, mburoja bën roje dhe shpata qëndron në gatishmëri, “ tha Pence para 2.500 lundruesve amerikanë në bazën detare amerikane në Tokio./Express/