Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë e kanë akuzuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti se po e keqmenaxhon kryeqytetin.
Në një konferencë për medie, një nga asamblistët e LDK-së, Flamur Shala, ka drejtuar vërejtje në emërimin e bordeve të ndërmarrjeve publike si dhe keqmenaxhimin e shërbimeve tjera komunale.
“Përkundër faktit se ndërmarrjet publike lokale sipas ligjit qeverisen në mënyrë korporatave dhe organi që ka përgjegjësi për to është Kuvendi i Prishtinës, Shpend Ahmeti me qëllime politike, duke i politizuar deri në militanizëm politik sipas koncepteve të vrazhda të dhunës dhe të molotovëve po i organizon personat e caktuar në ndërmarrjet e caktuara që me dhunë të ndalohen para dyerve të ndërmarrjeve aksionarët e zgjedhur a të emëruar nga Kuvendi. Kryetari i Komunës dhe ekipi i tij qeverisës janë bërë pengesë e zhvillimit normal të kryeqytetit. Ai është bërë emërues i përbashkët i të gjitha dështimeve në kryeqytet”, ka thënë Shala.
Shala po ashtu është shprehur se Vetëvendosje po i udhëheq këto ndërmarrje me borde të paligjshme.
“Standardet e dyfishta lidhur me emërimin e aksionarëve në disa ndërmarrje e në disa të tjera jo nga kryetari Ahmeti, shpërfaq njërin nga dështimet e tij politike deh administrative si dhe menaxhimin normal të Shërbimeve Publike në kryeqytet. Aty ku udhëheq VV me bordet e paligjshme me militantë që vijnë nga qendrat e VV-së, nga anë të ndryshme të Kosovës, aty bëhet rezistenca dhe me përpjekje dhune ndalohen të hyjnë aksionarët e zgjedhur nga Kuvendi. Aksionarët e ndërmarrjes banesore nuk u lejuan të hyjnë në objektin e Ndërmarrjes tri herë dhe po ashtu me kërcënime u ndaluan edhe anëtarët e bordit të përkohshëm”, tha Shala .
Shala ka deklaruar se Prishtina tash e tri vjet ka pas rënie të theksuar të të hyrave vetanake.
Sipas tij, vetëm për tri vjet Prishtina i humbi mbi 30 milionë euro, projekte kapitale nga planifikimi buxhetor i aprovuar nga Kuvendi i Prishtinës./KP