Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica në 72 vjetorin e rënies, janë përkujtuar me një akademi përkujtimore të organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke vlerësuar lart këto dy figurave historike, presidenti Thaçi tha se Kosova do t’i nderojë gjithmonë të gjitha figurat që dhanë kontribut për lirinë e saj. Sipas presidentit, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, u bënë një binom i rezistencës së parë, i kryengritjes së parë antikomuniste në Evropën Juglindore.
Presidenti Hashim Thaçi tha se Shaban Polluzha kishte përvojë ushtarake dhe përjetime jetësore nga më të ndryshmet.
“Shaban Polluzha kishte përvojë luftarake dhe përjetime jetësore nga më të ndryshmet. Që në rini kishte përjetuar pikëtakimin e kufijve të perandorisë austro-hungareze dhe mbretërisë bullgare në tokat e vendlindjes së tij. Kishte përjetuar burgosje dhe padrejtësi të pareshtura që i bëheshin familjes së tij dhe gjithë bashkëkombësve, por, periudha më e rëndë, më e gjatë dhe gjithmonë e errët ishte ajo e sundimit të Serbisë, pavarësisht a ishte nën ombrellën e mbretërisë jugosllave, me emër të njërit ose tjetrit regjim serb. Komandanti Shaban Polluzha mbetet një nga figurat historike që bëri emër në emër të mbrojtjes së shqiptarëve”, tha presidenti Thaçi.
Ai shtoi se kur doli hapur strategjia e ripushtimit të Kosovës në mbarim të luftës së Dytë Botërore, komandantit Shaban Polluzha iu bashkua edhe një luftëtar tjetër antikomunist, Mehmet Gradica.
“Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica u bënë një binom i rezistencës së parë, i kryengritjes së parë antikomuniste në Evropën Juglindore. Ishin dy personalitete dhe bashkë me shumë bashkëluftëtarë të tjerë që e filluan këtë rezistencë të fuqishme. Ishin dy personalitete të moshave të ndryshme, por i bashkoi ideali i njëjtë, i bashkoi fati i njëjtë, radhitja nga ana e popullit të pambrojtur. Dhe për mbrojtjen e tij, ata nuk kursyen asgjë”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fillojë fjalimin e tij duke treguar shkrimin që kishte bërë një gazetar britanik gjatë luftës së Kosovës, duke thënë se djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë pasardhës të Shaban Polluzhës.
“Me 1998 kur filloj lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një gazetarë britanik që kishte ardhur për të përcjellë ngjarjet dramatike që po ndodhnin në vendin tonë ato ditë do të shkruante. Nuk është e rastësishme pse në luginën e Drenicës po ndodhin këto përplasje të armatosura, djemtë që po e quajnë vetën Ushtria Çlirimtare të Kosovës janë pasardhës të luftëtarëve të dikurshëm të Shaban Polluzhës”, tha ai.
Sipas Veselit, në asnjë vend të Kosovës nuk ka mbetur pa u përmendur pushka e lufta e Shaban Polluzhës. Ai tha se e vazhduam luftën që e nisi Shaban Polluzha, por krijuam aleatë ndërkombëtarë kundër komunizmit jugosllav.
Sipas Veselit, tani 72 vjet pas vdekjes së Shaban Polluzhës, Kosova është shumë më ndryshe, si asnjëherë tjetër gjatë historisë, Kosova është e sigurt në fatin e vet.
Ndërsa, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, tha se historia e një kombi nuk mund të njihet pa thesarin dhe trashëgiminë e të parëve tanë.
“Historia e një kombi nuk mund të njihet pa thesarin dhe trashëgiminë e të parëve tanë dhe vazhdimisht duhet ta rikthejmë kujtesën tonë në periudhat e lavdishme të historisë tonë kombëtare. Akademia e sotme e cila po mbahet ka një rëndësi të veçantë në historinë e re shqiptare, si një afirmim i fuqishëm i identitetit politik të Kosovës , për të nderuar dhe respektuar jo vetëm Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën por të gjithë luftëtaret bashkëkohanik të tyre”, tha ai.
Komandantët Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica ishin vrarë nga ushtria jugosllave më 21 shkurt 1945. /kp