Aktuale

Serbia shkel Marrëveshjen e Brukselit

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk është lejuar nga autoritetet e Serbisë që të marrë pjesë në një takim në Beograd, ku do të fliste për gratë të cilat përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe.

Jahjaga ishte ftuar që të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!”, i cili në Beograd ka filluar nga 31 maji dhe do të zgjasë deri më 3 qershor 2017.

Fjalimi i Jahjagës ishte paraparë të mbahet në promovimin e librit “Dua të më dëgjojnë – Librin e kujtimeve me rrëfimet e 20 mijë grave që i kanë mbijetuar përdhunimit në luftën e fundit në Kosovë”, në ditën e tretë të festivalit, të premten.

Për këtë veprim të autoriteteve të Serbisë ka reaguar Qeveria e Kosovës, si dhe eurodeputetja Ulrike Lunaçek. Ndërsa revoltën e saj e ka shprehur dhe vetë Jahjaga, shkruan gazeta Zëri.

“Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovimin e librit ‘Unë dua të dëgjohem’ në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan!’, në të cilin u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd. Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka theksuar se autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd, sipas saj, kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën e saj. “Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të ’90-ta kur kanë qenë edhe protagonistë. Por, dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin e saj social në “Facebook”.