Aktuale

Serbia pret qasje në portin shqiptar të Durrësit

Ministrja e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë, Zorana Mihajlovic, ka thënë se së shpejti do të përfundojë projekti për autostradën Nish-Merdare-Prishtinë.

Ajo theksoi se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme që do të na japë dalje në një port tjetër të Adriatikut – Durrësit në Shqipëri.

Fjala është për një pjesë të autostradës rajonale që do të lidhë Serbinë me Tiranën dhe Detin Adriatik.

“Kjo rrugë është prioritet për Bashkimin Evropian dhe është pjesë e rrjeteve të transportit të Evropës. Sipas të gjitha projeksioneve, porti shqiptar është në një pozitë më të mirë se ai në Mal të Zi, që është e rëndësishme për ne”, ka thënë Mihajlovic për “Politika”, botim i së enjtes, raporton B92.

Ajo vuri në dukje se ka një rëndësi politike dhe ekonomike për ndërtimin e rrugës për shkak të njerëzve tanë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Së bashku me BE-në dhe Fondin për Ballkanin Perëndimor po punojmë në dokumentacionin teknik-projektues të punës, i cili duhet të përfundojë në mes të prillit dhe majit”, tha Mihajlovic.

Sipas Mihajlovic, është negociuar me institucionet ndërkombëtare se si të financojet ky projekt, pasi që është një projekt që Serbia nuk mund ta paguajë.

Siç shpjegoi, në fillim ndoshta do të ndërtohet një gjysëmprofil, i cili do të kushtojë rreth 500 milionë euro, ndërsa puna do t’i besohet një investitori privat i cili, në emër të Serbisë, do të garantohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. /GazetaExpress/