Më shumë se një mijë qytetarë kanë marrë pjesë sonte në shëtitjen protestuese në Beograd, “Ta ndalim tradhtinë, Kosova është Serbi”, të organizuar nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) dhe nismëtarët e “Apelit për mbrojtjen e Kosovës e Metohisë”, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta.
Protestuesit, siç raportohet u ndalën para Presidencës serbe duke kënduar “Oj Kosovë, Kosovë”. Ata brohorisnin “Nuk e japim Kosovën”, “Tradhëti”, “Vuçiq, s’ka ndarje”, “Vuçiq, tradhtar”, “Vuçiq, ik” ndërsa në dorë mbanin transparente “Marrëveshja e Brukselit është tradhti”, raporton Beta.
“Kjo është një luftë për mbrojtjen e shtetit që na kanë rrëmbyer”, citohet të ketë deklaruar Millosh Koviq, kryetar i Këshillit Politik të DSS, i cili ka shtuar se “mbi Serbinë për herë të parë po valëvitet rreziku që dora serbe të nënshkruaj dorëzimin e Kosovës”.
“Nëse ai (Aleksandar Vuçiq) është i gatshëm të marrë vulën e tradhtisë, ne nuk jemi” ka thënë Koviq duke shtuar se Vuçiq dhe miqtë e tij duan ta “gjymtojnë Serbinë dhe të Krijojnë Shqipërinë e madhe”.
Protestuesve u është drejtuar edhe kryetari i dikurshëm i Komunës së Shtërpcës, Zvonko Mihajlloviq dhe përfaqësuesi i organizatës “Vija e kuqe – Proklamata e studentëve për Kosovë e Metohi”.