Mitrovicë – dy ministra serbë në Qeverinë e Kosovës, Ljubomir Maric dhe Dalibor Jevtic, porositën Qeverinë e Kosovës se duhet të miratojë dekretin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS).
Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë muajin e kaluar pezulluan pjesëmarrjen e mëtutjeshme në punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, për shkak të miratimit të Ligjit për Trepçën, duke vlerësuar këtë hap si mbrojtje të interesave kombëtare serbe dhe të pronës serbe në Kosovë.
Ministri i Administrimit Lokal, Ljubomir Maric, tha për Tanjug se Lista Serbe ka insistuar gjithmonë në zbatimin e duhur të marrëveshjeve në Bruksel, por edhe në zbatimin e marrëveshjes së koalicionit.
ADVERTISING
inRead invented by Teads
“Ajo që është e rëndësishme për ne dhe që e përsërisim vazhdimisht është vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes për AKS. Ne edhe në diskutimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kemi thënë shumë qartë se kjo është dëshira jonë dhe shpresojmë se së shpejti Qeveria e Kosovës ta vë në rendin e ditës miratimin e vendimit apo dekretit të parimeve për themelimin e AKS”, tha Maric.
Do të thotë, zbatimi i marrëveshjes së gushtit 2015, dhe poashtu edhe themelimi i AKS-së dhe krijimi i kornizës së nevojshme në sistemin e Kosovës për përpilimin e Statutit të AKS dhe miratimin e tij, shtoi Maric, në përgjigje të pyetjes se cili është kushti për kthimin e përfaqësuesve serb në institucionet e Kosovës.
Edhe Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtic, i tha Tanjugut se kthimi i serbëve në institucione duhet të paraprihet prej një vendimi të Qeverisë së Kosovës për themelimin e AKS.
“Thirrja e Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit që Lista Serbe të kthehet në institucione duhet të bëhet zyrtarisht dhe në mënyrë thelbësore ashtu që kësaj thirrje t’i paraprijë vendimi që në rendin e ditës së Qeverisë së Kosovës të jetë dekreti në përputhje me parimet që janë nënshkruar në Bruksel, kur është fjala për krijimn e AKS-së”, tha Jevtic.
Jevtic ka shtuar se ky do të ishte edhe hapi i parë i rëndësishëm drejt zbatimit të asaj pjese të marrëveshjes së Brukselit që më vonë të mund të shkojmë në zgjidhjen e problemeve të tjera që ekzistojnë në terren e të cilët nuk janë në agjendën e dialogut të Brukselit.
Jevtic ka thënë se për shkak të normalizimit të jetës në Kosovë është shumë e rëndësishme që pikëpamjet e përfaqësuesve politikë të serbëve të respektohen./GazetaExpress/.