Aktuale

Selmi mendon se Demarkacioni nuk ndikon në marrëdheniet me SHBA

Vizita e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë është cilësuar e rëndësishme edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se kjo vizitë është nga një shtet që ka kontribuar shumë përgjatë historisë së shqiptarëve.

Për takimin e sotëm të Bidenit me liderët e shtetit kosovar, ai ka thënë se pushtetarët nuk duhet shfrytëzuar vetëm një foto me Bidenin dhe të mendojnë se do të amnistohen nga krimi. Pasi sipas tij, vizita e Biden është përkrahje për shtetin dhe jo për pushtetarët.

“Është vizitë shumë e rëndësishme nga e cila do të duhej të fitonin qytetarët e Kosovës, e pres që t fitojnë qytetarët dhe jo pushtetarët e Kosovës. Kjo nënkupton që pushtetarët e Kosovës në këso situata kërkojnë të postojnë ndonjë fotografi dhe e shfrytëzojnë si përkrahje të SHBA-së jo si për shtetin e Kosovës por për ata personalisht. Nëse kanë bë ndonjë fotografi me zotërin Biden kjo nuk do të thotë që ata do të amnistohen nga krimi e korrupsioni që po i bëjnë Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Selimi ka komentuar deklaratën e zv/presidentit i cili ka thënë se opozita duhet t`i ndalë veprimet e dhunshme.

Duke mos e zgjatur shumë për këtë pjesë dhe duke nënkuptuar se kundërshtimet e “Vetëvendosjes” për Marrëveshjen e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, ai është përgjigjur në një mënyrë me plotë humor.

“Normalisht unë s`kam prit që zotëri Biden të na sjellë gaz lotsjellës nga atje. Nuk kam prit që ai të na furnizojë me gaz lotsjellës”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës dhe SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në çdo vendim të saj, siç thotë Selimi “kështu duhej të jetë”.

“Dua ta citoj edhe ambasadorin amerikan i cili po ashtu është në sinkroni me SHBA-të, që SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin popullin e Kosovës pavarësisht se si do të votohej kjo dhe kështu do duhej të ishte. Pavarësisht se çështja e demarkacionit është çështje e Kosovës, çështje mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila do duhej të zgjidhej ndryshe nga si mendon Qeveria e Kosovës”, është shprehur Selimi për Indeksonline.

Selimi ka shtuar se vizita e Biden nuk mund të interpretohet ndryshe se sa vizitë e një shteti të madh që po vazhdon ta përkrahë Kosovën.