Rexhep Selimi është këmbëngulës se nuk ka asgjë të vërtetë nga raportimet e mediave se Vetëvendosje do të hyjë në listë zgjedhore me koalicionin LDK-AKR.
Selimi përsërit se nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë kjo, pasi që sipas tij edhe nuk ka mundësi juridike e as që nuk ka logjikë një mundësi e tillë.
Ai tha se do të ketë zhvillime në Vetëvendosje, por jo ajo që po raportojnë portalet, se kinse Vetëvendosje do të hyjë në listë me LDK-në dhe AKR-në duke kandiduar Albin Kurtin për kryeministër.
“Zhvillime do të ketë, mund të vijë tek ne ndonjë i pakënaqur”, tha Selimi pa dhënë ndonjë emër të ndonjë personi të mundshëm, por duke aluduar për të pakënaqurit nga koalicioni PDK-AAK-Nisma i arritur mbrëmë vonë.
Ai tha se kushdo që dëshiron t’i bashkohet Vetëvendosjes, e ka derën e hapur.
Selimi po ashtu ka thënë mbrëmë për KosovaPress se është vendim i Këshillit të Përgjithshëm që mos të bëjnë koalicione me LDK-në dhe PDK-në./KosovaPress/