Aktuale

Selimi: Të paguhet borxhi ndaj Policisë, pastaj rritje pagash

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për rritjen e pagave për shërbyesit civilë, punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë, ka nxitur zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Behar Selimi të kërkojë nga shefi i ekzekutivit të mendojë edhe për Policinë e Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, Selimi flet edhe për akuzat që i janë bërë Policisë, të cilat i quan jo të ndershme, derisa rreth mbajtjes së zgjedhjeve, ai thotë se kur ngecë vendimmarrja duhet t’i drejtohen popullit.Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, thotë se ai i gëzohet çdo rritje të pagave, në qoftë se nuk është pjesë e ndonjë para fushate elektorale, porse ka sugjeruar kryeministrin që të mendojë edhe për ngritjen e pagave të Policisë së Kosovës.Sipas tij, e para që duhet bërë nga kreu i ekzekutivit është që t’ua paguajë orët shtesë të policëve, që ende s’iu janë paguar, e që është obligim ligjor, si dhe gjetjen e një zgjidhje për sigurimet shëndetësore.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Selimi nuk mendon se Qeveria ka lënë anash Policinë e Kosovës, pasi vazhdimisht e kanë vlerësuar punën e Qeverisë dhe kërkesat buxhetore të Policisë janë përmbushur. Megjithatë, ai ka bërë thirrje që të mos bëhen shkurtime buxhetore për mallra dhe shërbime tek Policia e Kosovës, ani pse pajtohet që në sektorët tjerë duhet të bëhen shkurtime të tilla, pasi tek Policia mallra dhe shërbime nënkuptojnë shërbimet operacionale.
Ish-drejtori i PK-së, ka folur edhe për akuzat që i janë bërë Policisë së Kosovës nga opozita por edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, se në Policinë e Kosovës ka korrupsion, policë të inkriminuar në krime, duke i quajtur ato jo të ndershme. Ai e pranon se edhe në kohën e tij ka pasur korrupsion, por gjithmonë ka pasur një sistem që e ka luftuar korrupsionin. Sipas tij, korrupsion mund të ketë sot, mund të ketë edhe nesër dhe se ky nuk është lajmi, porse lajmi është nëse nuk luftohet korrupsioni.
Selimi ka folur fjalë të mira edhe për shefin e tij në Ministri, ministrin Skënder Hyseni, sipas të cilit mund të jetë nga ministrat e rrallë në Ballkan që e ka kuptuar se ai nuk është komandanti i Policisë, por është udhëheqës politikë i policisë.Ndërsa, duke folur për kërcënimet që i vijnë sigurisë së Kosovës, Selimi ka vlerësuar se kërcënimet me të mëdha vijnë nga terrorizmi dhe shteti fqinjë Serbia.Sipas tij, si territor nuk beson se është e rrezikuar Kosova, pasi akoma NATO-ja është në Kosovë e cila është e mandatuar për ruajtjen e sigurisë dhe kufijve, por ai thekson se procesi i shtetformimit duhet të përmbyllet me krijimin e ushtrisë, përkatësisht shndërrimit të FSK-së në ushtri.
Selimi beson se këtë vit do të ketë përmbyllje të procesit të krijimit të ushtrisë në qoftë se nuk do të ketë zgjedhje, derisa thotë se nuk ka pasur nevojë ndryshimi i Kushtetutës për formimin e ushtrisë në kuptimin kushtetues-juridik.Duke parë situatën aktuale politike në vend, ish deputeti i PDK-së, thekson se era e zgjedhje po vije, edhe pse e quan shpenzim të tepërt për vendin mbajtjen e shpeshtë të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas tij, kur nuk ka vendimmarrje duhet t’i drejtohen popullit.
Mocionin e opozitës, Selimi e quan të drejtë demokratike, madje shpreh simpati për mënyrën se si po lobohet. Megjithatë, thotë se opozita nuk do të gjejë shumë individë në PDK që do ta mbështesin këtë mocion për rrëzimin e Qeverisë./KosovaPress/