Asnjë projektligj në sektorin e sigurisë nuk e ka proceduar Qeveria në Kuvend, përkatësisht në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në mbledhjen e sotshme të këtij komisioni ka thënë se Qeveria po e lë pa punë komisionin, e nuk i ka proceduar as dy projektligjet, që janë tejet të rëndësishme, sikurse ajo për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur e atë për pensionimin e parakohshëm për Policinë e Kosovës, raporton KTV.
Ai tha se situata e krijuar tash e një vit në Kuvendin e Kosovës ka ndikuar edhe në punën e komisionit, por këtu ka reaguar kryesuesi Fadil Demaku, i cili tha se komisioni ka punuar normalisht, megjithëse mungesa e anëtarëve të tjerë të opozitës po e bën të vetën.
Ai ka thënë se fakti pse në komision nuk ka projektligje është te Qeveria, dhe dihet sheshazi se çështja e shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur nuk është më çështje e komisionit, por çështje politike e shtetit të Kosovës.
Ndërkohë deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi ka thënë se për FAK-un tash dihet ku janë ngecjet, e kjo është pamundësia për ta bindur Listën Serbe, dhe trysnia që ata kanë nga Beogradi.