Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëri nga ish komandantët e UÇK-së Rexhep Selimi ka qenë shumë i ashpër gjatë fjalës së tij ku po debatohet për vlerat e UCK-së.
Selimi ka akuzuar kolegët e tij deputetë të cilët e kanë votuar Gjykatën Speciale për hipokrizi.
“Atyre që dje e kanë votuar Gjykatën Speciale do t’iu thosha çfarë kërkojnë në këtë debat, pse ata janë në këtë sallë sot. Të njëjtit e kanë mbjellë farën për të dënuar luftëtarët e UÇK-së”, tha Selimi.
Deputeti i Vetëvendosjes i ka pyetur deputetët votues të Speciales se për cilat vlera flasin ata.
Selimi i ka pyetur ata që kanë votuar për amnistimin e kriminelëve serbë.
“E vini këtu derdhni lot krokodili. A jeni ju ata që e keni votuar mandatin e EULEX-it e sot dënoni vendimet e tij”, tha Selimi.
Madje ai adresoi kritika sidomos te PDK-ja që e ka thirrur këtë seancë.
Siç tha ai ata nuk kanë të drejtë të flasin sot në emër të atyre që siç tha Selimi, ‘i keni çuar në burg’.
“Nuk keni të drejtë të flisni në emër të atyre që kanë qenë të gatshëm të vdesin për tokën e Kosovës e sot ju po e shisni këtë territor. S’mund të flisni në emër të atyre që ua keni sjellë gjykatat në kokë”, tha Selimi.
Deputetëve që kanë votuar Gjykatën Speciale dhe zgjatjen e mandatit të EULEX-it, Selimi u tha: Duhet të ndaheni, ose me EULEX-in ose me UCK-në./KosovaPress/