Aktuale

Sekuestrohen mbi 700 kg hashash, arrestohen tre shqiptarë

Trafiku i drogës në aksin Shqipëri-Itali, po vazhdon edhe më tej, ku mbrëmë është zënë një sasi e madhe hashash.

Pas një ndjekjeje jo shumë të gjatë, 3 shqiptarë janë arrestuar, të cilët transportonin me anë të një gomoneje mbi 700 kg marihuanë.

Operacioni antidrogë ka nisur në Otranto, kur motovedetat italiane kanë pikasur një gomone të përmasave të mëdha, të aftë të lundronte edhe nëpër oqeane, e që udhëtonte në drejtim të Lecces.

Në bordin e saj ndodheshin 3 skafistë shqiptarë dhe 734 kilogramë drogë e llojit hashash.

Tre shqiptarët janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgimin më të afërt, në pritje të ngritjes së akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës.

Droga e sekuestruar kap një vlerë të përafërt tregu prej 7 milionë eurosh.