Policia Kufitare në Shqipëri brenda 24 orëve të fundit ka godet dy raste të tentativës për “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” në Qafë -Thanë.
Bëhet e ditur se janë sekuestruar 1563 kuti plastike me peshë 273 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, sasi kjo e fshehur në 800 paleta druri në rimorkion e një traileri.
Në lidhje me rastin është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit Nikola Damacheski 40 vjeç, shtetas maqedonas.
“Shtetasi i mësipërm është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë me një mjet tip trailer të markës “Volvo”me targa OH9622AB dhe Rimorkio me targë OH0696AC, në të cilën ishin të imbarkuara paleta druri”, ka bërë të ditur policia.
Ky mjet u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë dhe më pas në Skaner. Gjatë procesit të skanimit, u shfaqën dyshime se në mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike.
Nga kontrolli i detajuar, në pjesën e brendshme të 800 paletave prej druri, u konstatuan vende të përshtatura, në të cilat ishin fshehur 1563 kuti plastike (me ngjyrë të zezë) me peshë totale 273 KG lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa .
Veprimet procedurale të rastit, u kryhen nga ana e Specialistëve të Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
Nga këto struktura vijon puna për dokumentimin e ngjarjes, thellimin e hetimeve, identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë linjë trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotikëve.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a dhe 22 i Kodit Penal./KosovaPress/