Rajon & Botë

Sekretari Mattis qetëson evropianët: NATO-ja është themeli i SHBA-ve

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka vlerësuar sot se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrisin kontributet e tyre financiare për mbrojtjen e përbashkët, përndryshe SHBA-të do ta zvogëlojnë angazhimin e tyre ndaj Aleancës.

“Taksapaguesit amerikanë nuk janë në gjendje të mbajnë një pjesë joproporcionale të mbrojtjes së vlerave perëndimore”, tha Mattis në selinë e NATO-s në Bruksel dhe shtoi se administrate e Presidentit Trump, sikurse administrata e paraardhësit të tij Barack Obama, pret nga aleatët e NATO-s që të rrisin shpenzimet e tyre në fushën e mbrojtjes.

“Kjo është absolutisht e nevojshme dhe siç tha një ministër i mbrojtjes evropiane javën e kaluar, vetëm një kërkesë që të gjithë ata që përfitojnë nga mbrojtësit më të mirë në botë, të marrin pjesë proporcionalisht me kostot e nevojshme për mbrojtjen e lirisë”, tha Mattis, transmeton KosovaPress.

Shefi i ri i Pentagonit, James Mattis tha sot në Bruksel se NATO-ja është themeli i SHBA-ve, duke dashur të qetësojë anëtarët e Aleancës dhe aleatët tjerë, të cilët ishin shqetësuan nëse Presidenti Donald Trump, do të jetë i përkushtuar për NATO-n, pasi ai më parë kishte thënë se Aleanca është një organizim i vjetruar.

Mattis shtoi se Aleanca mbetet një themel për Shtetet e Bashkuara dhe për gjithë komunitetin transatlantik dhe shtoi se Presidenti Trump e mbështetë fuqishëm Aleancën.

“Jam këtu për të dëgjuar kolegët e mi ministra, që të flas hapur me miqtë dhe aleatët rreth asaj se ku jemi duke shkuar dhe rreth angazhimit tonë të përbashkët”, tha shefi i Pentagonit./KosovaPress/