Në ambientet e Bankës së Shqipërisë është prezantuar sot “Raporti i Tranzicionit”, i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) 2016-2017.
Duke folur rreth këtij raporti, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se sfidat me të cilat vazhdon të përballet ekonomia globale vazhdojnë të jenë të shumta.
“Raporti i BERZH-it dokumenton me profesionalizëm dhe besueshmëri progresin ekonomik, ligjor dhe institucional të tranzicionit, duke i dhënë reformave në të ardhmen hapësirën dhe prioritetin e duhur. Vlen të përmendet se kemi të bëjmë me një vlerësim të pavarur dhe standard bashkëkohor”, u shpreh Sejko.
Sipas tij, ky raport vlerëson pozitivisht reformat dhe politikat ekonomike të ndërmarra nga autoritete shqiptare.
“Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes, mbështetur kryesisht nga politika monetare stimulues e Bankës së Shqipërisë dhe transmetimi i saj efektiv në ekonominë shqiptare. Raporti evidenton gjithashtu faktin e rëndësishëm se sektori bankar është i aftë të përballojë goditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm. Në lidhje me të ardhmen ky raport në vlerëson në mënyrë objektive ambientin makroekonomik global si përgjithësisht të favorshëm “, ka shtuar më tej guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Sipas vlerësimit të tij, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore gjatë vitit 2017 pritet një rritje ekonomike më e shpejtë e nxitur nga faktorët e brendshëm.
Në fund Sejko ka shtuar se rreziqet kryesore lidhen me ecurinë e çmimeve të lëndëve të para dhe veçanërisht me zhvillimet gjeopolitike në ekonomitë e vendeve të ndryshme në rrafshin global.