Aktuale

Sejdiu: Vullneti i madh i qytetarëve për ndryshim, po e frikëson koalicionin e territ

Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje në një konferencë për media, tha se vullneti i qytetarëve për ndryshim po i tejkalon pritjet dhe se dëshmi për këtë, janë radhët e gjata të qytetarëve, të cilët presin për të votuar. Ndërsa tha se ky vullnet i madh po e frikëson koalicionin e territ, i cili sipas tij ka filluar të përhapë panikë dhe po bënë tentativa të shumta, për ta prishur procesin.

“Tashmë është e qartë se vullneti i qytetarëve për ndryshim po i tejkalon pritjet e të gjithë neve. Si duket ky vullnet i madh po e frikëson koalicionin e territ ashtu sikurse edhe quhen koalicion i panikut, kanë filluar të hapin frikë, e kështu po mundohen me dëmtu procesin. Vota fitohet me program, jo me frikësim. Koha e frikës ka kaluar tashmë. Shqetësuese është sepse po bëhen tentativa të shumta për ta prishur procesin. Këto subjekte kanë shkuar aq larg, saqë kanë bërë shkelje të rënda ligjore, sikurse që ishte rasti me skandalin e OJQ-së Instituti rajonal, për demokraci, të drejta të njeriut dhe studime politike, një organizatë komplet fantome”, tha ai.

Sejdiu po ashtu tha se një shkelje e rëndë ka ndodhur në fshatin Vojnik të Skenderajt, ku komisioneret e LDK-së dhe PDK-së, po lejojnë votimin pa asnjë lloj verifikimi.

“Një shkelje tjetër e rëndë ka ndodhur në fshatin Vojnik në Skenderaj, ku është arritur marrëveshje mes komisionerëve të PDK dhe LDK–së që të lejojnë votimin, pa asnjë lloj verifikimi dhe duke mos përcjell asnjë nga rregullat, që duhet përcjellë gjatë procesit zgjedhor. Kështu së bashku kanë suspenduar të gjitha rregullat zgjedhore. Ne jemi në tentativë për me tërheq komisionerin tonë. Sepse tash është bërë e vështirë me tërheq komisionerin. Gjithashtu nuk po e lejojnë në letrën e vërejtjeve të shënojë vërejtje, se çfarë po ndodh në Vojnik. Menjëherë pas tërheqjes së komisionerit, do të përpilojmë padinë. Ky vendvotim do të jetë i parregullt”, tha ai.

Ndërsa ftoi qytetarët që të votojnë lirshëm, pasi që siç tha ai nuk ka vend për frikë, pasi që vullneti i qytetarëve për ndryshim do të ngadhënjejë./KP