Dardan Sejdiu, në një konferencë për media tha se nga sot Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë në Republikën e Kosovës përballë një koalicioni të panikut që ishin 16 subjekte në atë dhe përballë një koalicioni tjetër ku ishin 5 subjekte politike.
Ai tha se nga rezultatet e terrenit Vetëvendosje ka arritur diku rreth 33 deri në 34 përqind të votave të qytetarëve të Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje nga sonte është subjekti i parë politik në Republikën e Kosovës dhe përballë një koalicioni të panikut që ishin 16 subjekte në atë, përballë koalicionit tjetër ku ishin 5 ose 6 subjekte, Lëvizja Vetëvendosje del subjekti i parë dhe rezultatet nga terreni na tregojnë se tashmë kemi diku rreth 33 deri në 34 përqind të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo fitore është e qytetarëve të kësaj Republike, është fitore e qytetarëve që kanë dashur ndryshime, kjo është votë e ndryshimit, është fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, është fitore e qytetarëve të Republikës. Vota e Lëvizjes Vetëvendosje është tashmë më shumë se dyfish e rritur, vota e Lëvizjes Vetëvendosje tregon që qytetarët e kësaj Republike kanë votuar për ndryshim, kanë votuar me zemër, ka votuar Vetëvendosjen në mënyrë që të përmbysë të keqen që e ka kapur këtë Republikë”, tha Sejdiu.
Ai tha se ndryshimi politik, i cili vjen si pasojë e këtij rezultati kërkon edhe një Qeveri ndryshe, qytetarët e Republikës e mundësuan me vullnetin e tyre këtë ndryshim duke dyfishuar apo më shumë se dyfishuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe këtë qeveri ndryshe do ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje.
“Normalisht që ndryshimi politik i cili vjen si pasojë e këtij rezultati kërkon edhe një qeveri ndryshe, qytetarët e republikës e mundësuan me vullnetin e tyre këtë ndryshim duke dyfishuar apo themi më shumë se dyfishuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe këtë qeveri ndryshe do ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje. Edhe një herë po e them, rezultatet nga terreni tregojnë që më shumë se dy herë jemi rritur, i kemi dikur rreth 33 deri në 34 përqind të votave të qytetarëve, jemi subjekti i parë në Republikën e Kosovës dhe Republika e Kosovës sot, qytetarët e saj kanë vendosur për ndryshime dhe këto ndryshime do i bëjë Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se aktivistët e VV-së e kanë mbrojtur votën ku janë angazhuar 8 mijë komisionarë.
“Lëvizja Vetëvendosje duke e parë panikun e koalicionit të natës e të krimit jemi mobilizuar jashtëzakonisht shumë për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve, në këtë drejtim kemi angazhuar gjatë ditës së sotme 8 mijë persona përfshirë këtu vëzhgues, komisionar, por edhe ekipe të tjera logjistike dhe mobile”, tha Haxhiu.
Për Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë një proces fer edhe pse gjatë ditës ka pasur shkelje dhe raportime të ndryshme nga ana e komisionarëve tanë.
“Më lejoni të tregoj që ne sot kemi deponuar një kallëzim penal, kallëzim ky që ka të bëjë me një organizatë fantome që është kredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar zgjedhjet dhe kjo organizatë ka angazhuar rreth 5 mijë vëzhgues apo them me saktë militantë të PDK e AAK-së dhe Nismës për të prishur procesin zgjedhor”, tha ajo.
Rezultatet e para të sondazheve e nxjerrin Vetëvendosjen të dytën./KosovaPress/





















