Aktuale

Sejdiu e quan të padijshëm Abrashin e LDK-së

Nënkryetari i komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës është i padijshëm.

Në një konferencë për media Sejdiu ka thënë se në mungesë të diturisë e programit Arban Abrashi në të gjitha intervistat nuk ka thënë asgjë përveç që ka shpifur. Sipas tij në vetëm dy intervista Abrashi i ka bërë 12 shpifje.

Sejdiu, tha se Prishtina nuk e ka humbur asnjë cent, dhe se e ka shpenzuar të gjithë buxhetin e ndarë nga Qeveria, duke iu përgjigjur kështu deklaratës së Abrashit, i cili ka thënë se komuna i ka humbur 80 milionë euro.

“E para, thotë ‘në vitin 2014-2017 ‘komuna i ka humbur mbi 80 milionë euro’. Për katër vite sa për informacion të juaj Prishtina nuk e ka humbur asnjë cent, i ka shpenzuar tërë buxhetin e ndarë nga Qeveria dhe i ka shpenzuar të gjitha paratë e mbledhura nga taksat. Pra, edhe granti i përgjithshëm edhe granti specifik, edhe të hyrat vetanake që të gjitha janë shpenzuar. E dyta, thotë ‘struktura e buxhetit të vitit 2013 ka qenë diku rreth 40 përqind për shpenzimet operacionale’. E para, koncepti i shpenzimeve operacionale në buxhet komunal nuk ekziston. Ndoshta është mirë me e lexua ai buxhetin dhe janë 60 përqind shpenzime kapitale. Ndërsa, i njëjti thotë në vitin 2017 kjo ndryshon në 60 përqind shpenzime operacionale, edhe një herë po e potencoj se nuk ka shpenzime operacionale”, tha ai.

Sejdiu po ashtu e ka akuzuar Abrashin për shpifje sa i përket asaj që sipas tij ka thënë për numrin e bizneseve. Ai tha se që nga ardhja e tyre në pushtet numri i bizneseve që operojnë në Prishtinë është rritur.

“‘Një numër i madh i bizneseve kanë shprehur shqetësime dhe janë detyruar të zhvendosen jashtë Prishtinës si në Fushë Kosovë, Lipjan, Graçanicë për shkak të taksave të mëdha që i kanë për pronat e tyre’. Kjo është shpifja e radhës. Në fakt komuna e Prishtinës çka numrin më të madh të bizneseve të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe që nga viti 2013 prej kur kemi filluar ne qeverisjen me Komunën e Prishtinës numri i bizneseve që operojnë në Komunën e Prishtinës është shtuar, e qebesa edhe kërkesa për leje të ndërtimit është shtuar. Nëse hyni tek vjetari statistikor i Kosovës, statistikat nacionale të këtij vendi dhe i shikoni numrat e shihni që në vitin 2016 2 mijë e 231 biznese janë hapur në Prishtinë. Ndërsa në Fushë Kosovë numri i tyre po bie”, tha Sejdiu.

Nën kryetari Sejdiu, i ka dhënë përgjigje edhe sa i përket numri të punësuarve në arsimin në Prishtinë. Ai tha se kanë punësuar ata që kanë pasur mesatare më të lartë, e jo ata që janë familjarë të pushtetarëve.

“Thotë, ‘nga 130 të punësuar në sektorin e arsimit 119 janë nga qytetet e tjera dhe thotë se nuk arrijnë në kohë sepse udhëtojnë nga komunat e tjera’. Në fakt numri i të punësuarve në komunën e Prishtinës është në arsim rreth 300 dhe proporcioni i të punësuarve nga Prishtina dhe nga komunat e tjera është i njëjtë sikur që ka qenë në vitet 2012, 2011, 2010. Dallimi është tjetër kund, dallimi është që ata që i kemi punësuar ne kanë pasur mesatare më të lartë, nuk janë familjarë të pushtetarëve, por në bazë meritore janë bërë punëtor të arsimit në Komunën e Prishtinës”, tha Sejdiu.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Abrashit lidhur me autobusët e rinj për të cilët ai ka thënë ‘se nuk janë të rinj’, ku siq tha Sejdiu autobusët janë prodhuar në vitin 2016 dhe janë prodhuar nga kompania e dytë më e madhe në botë.

Sejdiu i sugjeroi Abrashit që të përballet në debat me kundërkandidatin nga partia e tij Vetëvendosje e mos të dalë me “shpfije” të tilla.

Ndryshe kandidati i VV-së Spend Ahmeti dhe kandidati i LDK-së Arban Abrashi do të përballen edhe njëherë më 19 nëntor në raundin e dytë për kryetar të Prishtinës./kp