Arrestimi i Nehat Thaçit ka shkaktuar reagime të shumta tek qytetarët e Kosovës.
Serbia ka arrestuar drejtorin e Policisë së Kosovës për Mitrovicën, më 29 shtator derisa po hynte në territorin e Serbisë. Madje prokuroria Serbe e akuzon Thaçin për terrorizëm duke pasur për bazë akuzën për veprimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në lidhje me arrestimin e Thaçit nesër Kuvendi do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme.
Në lidhje me këtë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se nuk është në rregull që një shtet i huaj në mënyrë provokative të arrestojë pa asnjë komunikim me institucionet e Kosovës. Sipas tij, këto veprime të Serbisë nuk do të tolerohen.
Ndonëse nuk është kundër mbajtjes së kësaj seance, për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri është pikëpyetje se sa mund të kontribuohet me këtë.
Ai tha se Thaçi duhet që shumë shpejt të lirohet.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV, Albulena Haxhiu, pret që debati i nesërm për arrestimin e Thaçit të jetë konstruktiv.
“Arsyeja konkrete përse e kemi përkrahur këtë debat parlamentar, është për shkak se tashmë janë bërë 11 ditë që nga 29 shtatori prej kur është arrestuar nga Serbia drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi. Dhe deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë në drejtim për lirimin e tij. Pra, thjesht institucionet e Kosovës kanë qëndruar të heshtura karshi Serbisë dhe karshi arrestimit…. Dhe çështja e dytë për të cilën ku biseduam pak edhe në mbledhjen e Kryesisë ka të bëjmë me kërkesën e Vetëvendosjes për formimin e Komisionit Hetimor për RTK-në. Dhe përveç Aleancës dhe Nsimës për Kosovën, PDK dhe LDK nuk kanë propozuar emrat e tyre për Komision hetimor”, tha Haxhiu.
Pal Lekaj nga AAK tha se sa më parë duhet të ndërpriten bisedimet në Bruksel me palën serbe, pasi sipas tij, serbët edhe më shumë po revoltohen. Ai tha se ka ardhur koha që të ketë zgjedhje në Kosovë.
“Sa më shumë që po dialogojmë me Beogradin në Bruksel, aq më tepër po egërsohen serbët në veri dhe ju po i dini veprimet e tyre. E patë edhe me ligjin për Trepçën. Tani thotë se nuk njeh as Kushtetutën as ligjin për qeverisje të Kosovës, që të ketë një bojkot të serbëve në Qeveri. Kuvendi mund të ketë, por bojkot në qeveri nga ministrat, unë mendojë se kjo është e tepërt dhe është një pa fuqi e kryeministrit të Kosovës. Prandaj, ne jemi të vendosur që shteti të funksionoj me të gjitha kompetencat e veta… kjo e tregon pa paaftësinë e kësaj qeverie të përgjumur që me të vërtet ka ardhur koha që t’i kthehem prap votës”, tha Lekaj.
Ndërsa deputetja Valdete Bajrami, nga Nisma, tha se kjo Qeveri deri tash nuk ka bërë asnjë reagim për rastin e Nehat Thaçit, dhe për këtë në veri nuk ka shenja të normalizimit të gjendjes atje. Bajrami tha se nesër pret që Kuvendi të dalë me rekomandime të mirëfillta për rastin Thaçi.
“Kjo Qeveri nuk e ka bërë asnjë reagim duke përfshirë edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, por edhe kryeministrin dhe të gjitha organet tjera. Po ashtu ne duam ta ngrism këtë çështje, pasi po flitet për një njeri i cili e drejton një institucion të rëndësishëm. Duke e ditur se casje ose rregullimi i jetës në Mitrovicë duke përfshirë jugun dhe veriun, totalisht jashtë suazave normale. Ne i kemi edhe reagimet e fundit, ku ne veri nuk ka shenja të shtetit ose ekzistimit të shtetit të Kosovës, duke i pasur strukturat paralele ende funksionale… Shpresoi që nesër të kemi një debat të mirëfilltë dhe të dalim me rekomandimet të cilat kjo Qeveri duhet t’i merr parasysh”, tha Bajrami.
Në lidhje me kërkesën që të formohet një komision hetimor për RTK-në kryetari i Kuvendit tha se mediat në Kosovë janë duke luajtur një rol të rëndësishëm. Sido që te jetë, ai tha se nëse ka varshmëri ose presion është e papranueshme. Sipas Veselit nuk është mirë që gazetarëve t’u sulmohen fëmijët e tyre me bomba dhe të kërcënohen në mënyra të ndryshme.
Kryetari i G. P. të LDK, Ismet Beqiri, rreth komisionit hetimor, mendon se mënyra e rrugëzgjidhjes së problemeve të RTK-së nuk duhet parë me krijimin e komisionit hetimor. Ai deklaroi se probleme ka në RTK dhe në mediumet private për mënyrën se si i qasen dhe iu mbajnë krahun ndonjë subjekti politik. Beqiri tha se edhe LDK ka qenë e pakënaqur me disa zhvillime në RTK.
Kuvendi i Kosovës, nesër pritet që të mbaj vazhdimin e seancës së kaluar në të cilën pritet të miratohet Ligji për Investime Strategjike dhe pas kësaj seance, në orën 14 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për të debatuar rreth arrestimit të drejtorit të policisë, Nehat Thaçi.