Aktuale

Së pari e vërteta, pastaj pajtimi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se shoqëria kosovare nuk mund të ndërtojë të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i të kaluarës. Në takimin e dytë konsultativ të Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, kreu i shtetit theksoi se është e nevojshme gatishmëria e të gjithëve për të punuar së bashku për këtë nismë shumë të rëndësishme për Kosovën, për shoqërinë kosovare dhe për të ardhmen e saj.

Presidenti Thaçi tha se kanë ngritur institucione e infrastrukturë të mirë dhe pothuajse kanë zhdukur gjurmët fizike të luftës, por dhembja për humbjet e shkaktuara, për më të dashurit tanë që janë vrarë apo zhdukur nuk janë zhdukur.

 

“Synimi ynë është të krijojmë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur mes komuniteteve në Kosovë për të kaluarën e dhimbshme dhe të bëjmë një hap bazë të shëndosh të së vërtetës dhe pajtimit. Pajtimi nuk mund të bëhet mbi harresën e së keqes që ka ndodhur, ky është një shansë për një fillim të ri, po të kujtojmë të kaluarën e dhimbshme është pjesë e rëndësishme e një fillimi të ri, sidomos nëse nuk dëshirojmë të na përsëritet e kaluara”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa, duke elaburuar idenë e Komisionit, presidenti Thaçi theksoi se synimi i parë i këtij komisioni do të jetë e vërteta.

 

“Puna e komisionit mund vetëm të ndihmojë drejtësinë. Pranimi i së vërtetës është thelbësor edhe për drejtësinë, pra, nuk bëhet fjalë për shlyerjen e krimit, dhe as nuk do të lejohet që dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit. E vërteta do të zbulohet për të gjithë, sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, ky forumë do të krijojë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që duhet të sjellë pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të personave të pagjetur e ka quajtur idenë e komisionit të qëlluar duke shprehur besimin se do të shërohen plagët e tyre.

 

“Së pari kisha kërkuar prej familjarëve falje, të gjithë ata familjarë që nuk e kuptojnë mirë çka është e vërteta sepse ne e kërkojmë që sa vjet të vërtetën çka ka ndodhur, këtë ta kuptojnë dhe pas të vërtetës është drejtësia, dhe pas këtyre dy gjërave vjen pajtimi. Këto ndoshta ndodhin edhe më shekuj por iniciativa e këtij komisioni është e qëlluar për shkak se neve ngadalë do të na i shërojnë plagët të cilat i kemi, me të dashurit tanë të pagjetur. Unë e kam kuptuar kësisoj, u vërtetua sot i cili asnjë nuk pati kundër, për shkak se është kuptuar shumë më mirë se sa është kuptuar dje”, tha Qerkini.

Ai tha se komisioni do të ketë sukses nëse politikanët e kanë seriozisht dhe nëse nuk e kanë për t’i mashtruar.

Homologu i tij, përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve serbë, Milorad Trifunovic, ka thënë se është dashur të ngritet shumë më herët një komision i tillë, porse kurrë nuk është vonë që të diskutohet që të kemi një pajtim.

 

“Është më mirë të kemi pesë vite diskutime, se sa pesë minuta luftë, sepse për pesë minuta mund të zhduket komplet bota e sotme duke marrë parasysh se kemi bomba atomike, andaj të gjithë ne që jemi të pranishëm në ambientet ku jetojmë t’iu tregojmë njerëzve se është e domosdoshme që të vendosim kontakte, që të fillojmë të mendojmë, ne jemi të vjetër, mirë ka thënë Bajrami, koha jonë po ikën por për shkak të pasardhësve tanë…Unë e përkrahi tërësisht këtë ide, pajtohem me të gjitha çfarë është thënë deri me tani dhe kjo është e mrekullueshme dhe dëshiroj që të jetësohet sa më shpejt ky komision”, theksoi Trifunovic.

Por pati edhe të tillë që e kundërshtuan emrin e komisionit. Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala tha se titulli i komisionit është refuzues, meqë pajtimi vjen vetvetiu.

 

“Mendoj që titulli i Komisionit për Pajtim dhe të Vërtetën është refuzues sepse pajtimi vetvetiu vjen. Së pari duhet të dihet e vërteta atëherë mund të flitet për pajtim. Në qoftë se harron atë që ka kushtëzime se dikush duhet këtë ta nis, ose, në qoftë se ju e vlerësoni se na jemi fajtor për këto, atëherë, po dalim po iu kërkojmë falje Serbisë se nuk janë bërë këto, këto, por duhet me qenë një hap nga dikush. Pse ka dështuar komisioni në Serbi, sepse iniciatori ka qenë jokredibil, jo i besueshëm dhe ka qenë refuzues”, tha Shala.

Kurse, Rron Gjinovci nga shoqëria civile e quajti të mrekullueshme iniciativën e kreut të shtetit.

 

“Për juve që e dini unë jam një kundërshtar i flaktë i presidentit Hashim Thaçi, kam qenë i tillë dhe besoj që do të mbes për një kohë të gjatë në shumë çështje për të cilat ne nuk pajtohemi, mirëpo, unë sot nuk mundem me u ba hipokrit edhe mos me thanë ata që kjo iniciativë është e mrekullueshme edhe me iu thanë të vërtetën unë nuk kam pritur që kjo ka me u bo në kaq pak vite në Kosovë”, theksoi ai

Në këtë takim, po ashtu u shtruan shumë ide se si duhet të funksionoj komisioni. Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksoi se duhet të mendojnë se çfarë baze ligjore duhet të ketë ky komision. Sipas saj, ky mekanizëm nxjerr edhe emocione, sfida sepse nuk është e lehtë të ballafaqohen me plagë të luftës./KP/