Rajon & Botë

Së paku tetë të vdekur nga dy sulme në Pakistan

Policia e Pakistanit ka njoftuar se disa sulmues e kanë sulmuar me armë zjarri një stacion policor në pjesën veriperëndimore të vendit të dielën dhe më vonë e kanë hedhur në herë hyrjen e një spitali ku po dërgoheshin të plagosurit, duke vrarë tetë persona, përfshirë katër policë.

Autoritetet njoftuan se në këtë sulm janë plagosur më shumë se 30 persona, ndërsa zyrtarët shëndetësorë thanë se numri i viktimave mund të rritet.

Komandanti rajonal i policisë, Salim Riaz, i tha një radioje se sulmuesit kanë ardhur në motoçikleta dhe e kanë sulmuar me armë zjarri një pikë kontrolli në Kotla Syedan, duke lënë të vrarë dy zyrtarë policorë.

Pas këtij sulmi, një sulmuese vetëvrasëse e shpërtheu bombën në hyrjen e një spitali, duke vrarë gjashtë njerëz, përfshirë dy policë.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi “Tehrik-e-Taliban Pakistan”, i cili është krahu i talibanëve në Pakistan.

Muajin e kaluar, ushtria pakistaneze tha se aktivitetet e militantëve janë rritur në rajonin kufitar me Afganistanin. Së paku 10 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 35 të tjerë janë plagosur muajin e kaluar, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.