Rajon & Botë

Së paku 17 të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Kolumbi

Zyrtarët kolumbianë kanë njoftuar se të paktën 17 persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e dheut që ndodhën të dielën në pjesën jugperëndimore të Kolumbisë.

Pesë persona janë lënduar dhe shtatë shtëpi janë shkatërruar në qytetin e Rosas, i cili ndodhet në rajonin e Caucas.

Rrëshqitja e dheut erdhi pas reshjeve të mëdha të shiut që e goditën këtë rajon, ndërsa autoritetet po i vazhdojnë kërkimet në rrënoja.

Rrëshqitjet e dheut janë mjaft të shpeshta në këtë vend të Amerikës Latine, sidomos gjatë sezonit vjetor të reshjeve.

“Për fat të keq, këto gjëra ndodhin kur i pret më së paku dhe kjo që po e shohim ka ndodhur për shkak të sezonit të reshjeve”, tha kryetari i qytetit ku ndodhi tragjedia, Jesus Diaz.

Përpos për t’i kërkuar trupat e njerëzve, autoritetet po e largojnë dheun për ta zhbllokuar një autostradë të rëndësishme.

Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque, e vizitoi të dielën qytetin e goditur nga rrëshqitjet e dheut. Ai tha se autoritetet kanë siguruar ndihma mjekësore dhe strehim për njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Duque shkroi në Twitter: “Këto janë kohëra të vështira, por ne si shtet jemi të bashkuar për t’i ndihmuar këta njerëz”, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.