Krijimi i ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet nëpërmes aprovimit të amendamenteve kushtetuese. Nuk shoh as arsye e as nevojë që të shpejtohet me këtë vendim, ka deklaruar për gazetën serbe Blic, ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott, përcjell Gazetametro.net.
I pyetur që të komentojë atë se presidenti kosovar Hashim Thaçi i dorëzoi Kuvendit Projektligjin për krijimin e ushtrisë, Scott ka thënë se nëse është filluar me krijimin e ushtrisë, nuk duhet të ngutet dhe të shkohet me atë vendim në Kuvend, sidomos tani kur janë prezent tensionet në këtë rajon.
Ambasadori amerikan thotë se nuk duhet të jetë befasi për askënd se SHBA-të të miratojnë vendimet sovrane të Kosovës, siç është edhe ai që Kosova dëshiron të ketë ushtrinë e vet.
“Por gjatë gjithë kohës ne flasim që ai vendim duhet të merret në përputhje me Kushtetutën e Kosovës me pjesëmarrje të plotë politike të të gjitha partive në Kosovë. Nuk shoh që ky është hap pozitiv në këtë moment dhe do të kishim dashur të shohim se gjërat po zhvillohen në korniza kushtetuese”, ka pretenduar Scott.
Kur është fjala për tensionet në rajon, Scott ka thënë se zgjidhja është që të bisedohet për çështjet kontestuese por edhe të tjera dhe që të mos ndërmerren kurrfarë aksionesh të cilët do të kishin sjellë te destabilizimi i mëtejmë.
“Çështja e dytë është se të gjithë liderët në rajon duhet të përqendrohen në atë se çfarë është mirë për qytetarët e vet dhe se si t’i bindin që ata të dëshirojnë të mbeten në rajon. Kjo do të thotë se përqendrimi duhet të jetë në zhvillimin ekonomik dhe në integrimin e rajonit të Ballkanin Perëndimor, dhe politikën dhe historinë të lënë të kaluarës dhe të fokusohen në ardhmëri”, ka theksuar ambasadori Scott. /gazetametro.net