Kyle Randolph Scott, ambasadori i SHBA-ve në Serbi, ka vlerësuar se Beogradi dhe Prishtina nuk po i përmbushin detyrimet nga Marrëveshja e Brukselit.
Siç raportojnë mediet serbe, ai është shprehur se ajo nuk po realizohet me shpejtësinë e nevojshme, transmeton “Koha.net”.
“Kosova nuk po realizon atë që e ka premtuar. Sa i përket Bashkësisë së Komunave Serbe ajo nuk e ka bërë atë që ka premtuar. Por mendoj se për Serbinë është më mirë të përmbushë atë që vetë e ka premtuar”, është shprehur ambasadori Scott për televizionin N1. Sipas tij, nëse Serbia do të përmbushte detyrimet e veta, askush në BE nuk do të thoshte se ajo po pengon dialogun.
Scott ka shtuar se Serbinë askush nuk po e detyron të zgjedhë ndërmjet miqësisë me Rusinë dhe asaj me SHBA-në, e citojnë atë mediet serbe, transmeton “Koha.net”.
“Serbia gjatë historisë ka pasur marrëdhënie të mira me Rusinë, dhe kjo askënd nuk e pengon. Ne, po ashtu, dëshirojmë marrëdhënie të mira me Rusinë. Unë nuk po shoh se ka kërkesa që Serbia do të mund të jetë e mirë vetëm me Rusinë ose me SHBA-në. Serbia mund të ketë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë, edhe me Perëndimin”, tha ambasadori amerikan.
Ai ka theksuar se Serbia me siguri do të detyrohet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, atëherë kur të bëhet anëtare e tij, por atëherë do të mundet në mënyrë të barabartë të krijojë atë politikë, transmeton “Koha.net”.
Ambasadori Scott, po ashtu, ka thënë askush nuk po e detyron të bëhet anëtare e NATO-s.“Serbia tashmë e ka thënë mendimin e vet se nuk do të bëhet anëtare e NATO-s, por mund të jetë partnere”, ka shtuar ai.