Aktuale

SBASHK i drejtohet qeverisë për dialog, të shmanget greva

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka ftuar qeverinë e Kosovës për dialog që të përmbushën kërkesat në sektorin e arsimit.

SBASHK-u i është drejtuar sot me një letër publike kryeministrit Isa Mustafa dhe kabinetit të tij qeveritar se është momenti për të dialoguar pasi që siç deklarohet në komunikatën dërguar për media nga kjo sindikatë Qeveria ka tërhequr Projektligjin për pagat, raporton “Zëri.info”.

“Ju dhe tërë opinioni e dini se SBASHK-u me të drejtë kishte reaguar ndaj Projektligjit për pagat duke e konsideruar atë si degradues e nënçmues për të punësuarit në sektorin e arsimit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike dhe me MASHT-in ne kemi dhënë propozimet tona të argumentuara me fakte lidhur me ndryshimet në këtë Projektligj dhe jemi të sigurt se ato do të përfillen”, thuhet në letrën drejtuar nga SBASHK-u në adresë të qeverisë. /Zëri

Letra e plotë :

SBASHK-u i drejtohet me ftesë publike Kryeministrit Mustafa dhe Kabinetit të tij qeveritar

Pasi tërhoqët Projektligjin për pagat është moment i mirë për dialog

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa SBASHK-u ju përgëzon Juve dhe Kabinetin qeveritar që morët vendim për ta tërhequr , për momentin, Projektligjin për pagat në pritje që të përgatiten edhe ndryshimet në Ligjin e Punës dhe në atë për shërbyesit civil e publik. Ju dhe tërë opinioni e dini se SBASHK-u me të drejtë kishte reaguar ndaj Projektligjit për pagat duke e konsideruar atë si degradues e nënçmues për të punësuarit në sektorin e arsimit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Administratës Publike dhe me MASHT-in ne kemi dhënë propozimet tona të argumentuara me fakte lidhur me ndryshimet në këtë Projektligj dhe jemi të sigurt se ato do të përfillen.

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa me tërheqjen që i keni bërë Projektligjit për pagat është krijuar një moment i ri dhe i mirë për dialog korrekt e përmbajtjesor mes Ministrive gjegjëse dhe SBASHK-ut e Sindikatave tjera në mënyrë që me një angazhim të përbashkët e përmes dialogut konstruktiv të bëhen të pranueshme për të gjitha palët përmbajtja e Ligjit për pagat dhe të Ligjit të punës e atë atij për shërbyesit civilë e publikë. Një dialog i tillë do të mundësonte që të dy palët, pra Qeveria dhe SBASHK-u e sindikatat tjera të ofrojnë propozime të bazuara në fakte e argumente dhe të arrihej pajtueshmëri për përmbajtjen e këtyre tri ligjeve, që janë shumë të rëndësishme për gjithë të punuarit në sektorin publik, por edhe në atë privat.

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa , SBASHK-u i drejtohet me këtë ftesë publike Kabinetit Qeveritar për dialog të sinqertë e korrekt në mënyrë që të gjejmë zgjidhje të pranueshme për çështjet konkrete, pa pasur nevojë për përplasje e veprime sindikale.

Prishtinë, 15 mars 2017

Kryesia e SBASHK-ut,

Kryetar: Rrahman Jasharaj