Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ka thënë sonte se vendi i tij mbështet Kosovën dhe perspektivën e asaj euroatlantike, dhe inkurajon institucionet vendore që të angazhohen për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.
Ai këto komente i bëri në një mbrëmje humanitare për të ndihmuar fëmijët jetimë dhe ata të prekur me sindromën Down, e cila u mundësua duke iu falënderuar donatorëve të shumtë vendorë dhe që u përkrah edhe nga Ambasada italiane në Kosovë dhe regjimenti i karabinierëve MSU.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, duke iu drejtuar të pranishmëve, përmendi rolin e OJQ-ve “SOS Fshati i Fëmijëve” dhe “Down syndrome Kosova” në ndihmën e dhënë për fëmijët jetimë dhe ata me sindromën Daun dhe tha se ky koncert humanitar synon që të ndihmohen këta fëmijë.
“Unë përfaqësoj shtetin i cili gjithmonë ka mbështetur Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane, por ne mendojmë se mbështetja e Kosovës nuk tregon vetëm për perspektivën e saj evropiane dhe euroatlantike, por edhe inkurajon qeverinë e saj dhe liderët që të përmbushin kritere të caktuara si stabilizimi politik, zhvillimi ekonomik, konsolidimi i institucioneve dhe marrëdhëniet me fqinjët”, ka thënë Sardi.
Ai ka falënderuar regjimentin e karabinierëve në kuadër të KFOR-it dhe komandantin e tyre Fabiano Kanjaco për përfshirjen e Ambasadës italiane në këtë iniciativë.
Drejtoresha e SOS Fshati i Fëmijëve në Kosovë Nezahate Salihu ka bërë të ditur se më shumë se një mijë fëmijë kanë përfitime nga programet e SOS Fshatit, ndërsa ka falënderuar donatorët për ndihmën e dhënë, si dhe ambasadën italiane në Kosovë dhe regjimentin e karabinierëve.
“Është shumë mirë për të pasur shumë miq që na mbështesin ne për shkak se punojmë në Kosovë. Të gjithë e dinë se është mjaft vështirë për të mbështetur një numër të madh të fëmijëve që kemi në SOS. Për shembull ne kemi 86 fëmijë që janë duke jetuar në familjet SOS”, ka thënë Salihu.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu është drejtuar edhe Sebahate Hajdini Beqiri nga “Down syndrome Kosova”, e cila tha se nevojat janë të mëdha dhe ka shumë për të bërë për personat me sindromën Daun, ndërsa shprehu përkushtimin për vazhdimin e ndihmës për personat e prekur nga kjo sindromë.
Në këtë mbrëmje bamirësie u tha se të gjithë ata që dëshirojnë të japin donacione këtë mund ta bëjnë duke bërë telefonata dhe duke dërguar sms në vlerë prej një euro në numrin e telefonit 55006.
Organizimi i kësaj mbrëmjeje u bë për të ndihmuar OJQ-në “SOS Fshati i Fëmijëve” i cili është i menaxhuar nga vullnetarët për t’u përkujdesur për fëmijët jetimë, si dhe për të ndihmuar OJQ-në “Down syndrome Kosova”, e cila ofron asistencë për të rinjtë e prekur nga sindroma Down dhe rehabilitimin e tyre. /Kosovapress/