Rajon & Botë

Samit katërpalësh për çështjen ukrainase

Presidenti francez, Francois Hollande ka konfirmuar sot se pas disa javësh do të organizohet një samit me pjesëmarrjen e liderëve ukrainas, francezë, gjermanë dhe rusë për situatën në Ukrainë.

“Ramë dakord për organizimin e një samiti midis palës gjermane, franceze, ruse dhe ukrainase”, deklaroi kreu i shtetit francez.

“Në Ukrainë do të vijojmë zbatimin e procesit të paqes në Minsk për të trajtuar çështje që aktualisht janë të bllokuara, veçanërisht zbatimin e statusit të posaçëm, çështjes së sigurisë dhe mungesës së besimit midis palëve”, theksoi ai.

Perspektiva e një samiti të tillë “i formatit Normandi” u bë e ditur që dje në mbrëmje nga një burim diplomatik francez në përfundim të takimit midis presidentit francez dhe homologut rus, Vladimir Putin, që nisi në një atmosferë të ftohtë.